Franca mesazh Kremlinit: Ne dhe aleatët nuk jemi në luftë me Rusinë

As Franca e as aleatët nuk janë duke luftuar kundër Rusisë, tha Ministria e Jashtme franceze më 26 janar.

Ky qëndrim i Parisit vjen pasi Perëndimi i dërgoi tanke të rënda Ukrainës për t’i ndihmuar që të luftojë kundër pushtimit rus.

“Ne nuk jemi në luftë me Rusinë dhe nuk është asnjëri nga partnerët tanë”, tha zëdhënësja e MPJ-së franceze, Anne-Claire Legendre.

“Dërgimi i pajisjeve ushtarake…. nuk do të thotë që jemi pjesë e luftës”.

Legendre foli pasi ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Bearbock, tha më 26 janar se është e rëndësishme që partnerët perëndimorë të koordinojnë ndihmën ushtarake për Kievin.

“Pjesa më e rëndësishme është që ne ta bëjmë këtë së bashku dhe ne në Evropë nuk fajësojnë njëri-tjetrin sepse ne po luftojmë kundër Rusisë dhe jo kundër njëri-tjetrit”, tha ajo.

Një ditë më parë, Gjermania njoftoi se do t’i jepte Ukrainës 14 tanke Leopard 2, vendim që është pritur që një kohë. Ky vendim i Berlinit po ashtu hap mundësinë që edhe disa shtete të tjera evropiane të furnizojnë Kievin me këto lloje tankesh.

Pas njoftimit të Gjermanisë, Shtetet e Bashkuara po ashtu njoftuan se do t’i japin Ukrainës 31 tanke Abrams.

Kremlini tha se Moska e sheh dërgimin e këtyre tankeve si “përfshirje të drejtpërdrejtë në konflikt” në Ukrainë, që Rusia ka nisur më 24 shkurt 2022. /REL


Shtuar 26.01.2023 16:27