Franca e nisi me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke siguruar tri pikët e para pas suksesit 3-1 ndaj Senegalit në takimin hapës të Grupit I.
45 minutat e para nuk prodhuan gola dhe u karakterizuan nga pak raste të pastra, por në pjesën e dytë “Gjelat” e ngritën ndjeshëm nivelin e lojës.
Të lidhura
None found
Epërsia për francezët erdhi në minutën e 66-të, kur pas një aksioni të ndërtuar bukur, Kylian Mbappé mori një pasim të përkryer nga Michael Olise brenda zonës dhe finalizoi saktë për 1-0.
Vetëm dy minuta më pas, Senegali besoi se kishte rikthyer baraspeshën me Nicolas Jackson, por goli i tij nuk u pranua për shkak të pozitës jashtë loje.
Franca vijoi të diktonte ndeshjen dhe në minutën e 82-të e thelloi avantazhin. Adrien Rabiot shërbeu bukur për Bradley Barcola, i cili kaloi me klas Edouard Mendy-n dhe dërgoi topin në rrjetë për 2-0.
Në minutën e 90+5, Senegali rihapi takimin falë një veprimi individual shumë të mirë nga Ibrahim Mbaye, që shënoi për 2-1 dhe i dha shpresë skuadrës së tij.
Megjithatë, reagimi i afrikanëve zgjati fare pak. Një minutë më vonë, sërish në kohën shtesë, Mbappé i dha fund gjithçkaje me një gol të jashtëzakonshëm nga 25 metra. Sulmuesi i Francës goditi fort nga distanca dhe e la pa asnjë mundësi reagimi Mendy-n, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-1.
Me dy golat e tij, Mbappé ishte figura kryesore e mbrëmjes dhe protagonisti absolut i kësaj sfide, duke dhënë menjëherë një sinjal të fortë në Botëror. Me këtë fitore, Franca merr kreun e grupit dhe forcon pozitat si një nga favoritët kryesorë për trofeun. /
