Deputeti i opozitës Dashnor Sula kishte zgjedhur një mënyrë krejt origjinale për seancën plenare të së enjtes.
Ndryshe nga të gjithë deputetët e tjerë, ai shkoi në Kuvend i veshur me përparësen e bardhë të mjekut, në të cilën shkruhej fjala sterilizim. Por, jo vetëm kaq, ai u shfaq me një tufë me qepë në duar si dhe një tabelë që lexonte AZHBR.
Këto ishin mesazhe të deputetit për “dosjet e nxehta” që tashmë janë nën hetim nga SPAK-u.
Por jo vetëm kaq, Sula tha se është paraqitur me këtë veshje për t’i dhënë mesazh mazhorancës dhe të gjithëve se aksioni i opozitës nuk është për interesa personale, por për vendosjen në vend të të drejtave të tyre kushtetuese.
“Opozita ka që nga data 5 tetor që proteston, aksion opozitar sa I takon ngritjes së komisioneve hetimore që kjo maxhorancë i pengon me forcën e kartonit. Kam ardhur në mënyrë simbolike për të treguar kësaj maxhorance se aksioni opozitar nuk është për interesa personale absolutisht.
Kush e gjykon dhe mund ta bëjë pis se flitet për zotin Berisha, por aksioni do të vijojë derisa e drejta jonë kushtetuese për komisionet hetimore të vihet në vend”, tha ai.
Natyrisht që një veshje e tillë nuk kaloi pa u vënë re nga të pranishmit, por edhe nga objektivi i aparatit të paparacit tonë.
Por veç vëmendjes së mediave që kjo veshje që mori, duket se interes ka shprehur edhe një deputet i Partisë Socialiste.
Konkretisht, Erion Braçe, u shfaq pranë Sulës, dhe ashtu si duket edhe nga foto, të dy u shfaqën të buzëqeshur. Me gjasa pikërisht për ‘maskimin’ e deputetit demokrat.