Fotoreporteri ukrainas gjendet i vdekur në afërsi të Kievit

Fotografi ukrainas i luftës Maksym Levin është gjetur i vdekur pranë një fshati në veri të Kievit nga policia, ka thënë punëdhënësi i tij LB.ua.

Sipas raporteve nga kolegët e tij, 40-vjeçari Levin kishte humbur kontaktet që nga 13 marsi kur ai po dokumentonte konfliktin në rrethin Vishgorod në veri të Kievit, ku më vonë shpërthyen luftime intensive.

Ndihmësi i presidentit ukrainas Andriy Yermak konfirmoi në një postim në Telegram se “trupi i Levin u gjet pranë fshatit Guta Mezhygirska më 1 prill”.

Levin kishte punuar për faqen ukrainase të lajmeve LB.ua për më shumë se dhjetë vjet, dhe fotografitë dhe videot e tij që dokumentojnë luftën janë parë në mbarë botën. Përveç punës së tij për LB.ua, ai kontribuoi me fotografi në agjencitë dhe transmetuesit ndërkombëtarë të lajmeve, duke përfshirë dhe BBC.

Të paktën 8  gazetarë dihet se janë vrarë në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin e saj të vendit më shumë se një muaj më parë./albeu.com