Në ambientet e Presidencës u zhvillua sot mbrëmja tradicionale kushtuar Ditës së Pavarësisë, një aktivitet që mblodhi së bashku personalitete të larta të politikës dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend.
E pranishme në këtë ceremoni ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në festimet zyrtare së bashku me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ishte i pranishëm bashkë me Zonjën e Parë, Armanda Begaj. Në aktivitet mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Mes të ftuarve u panë gjithashtu ministrja, deputetë dhe ish-deputetë të Partisë Socialiste, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Ministrja për Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, si dhe ish-Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend, dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, të cilët u bashkuan në aktivitetin festiv për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndërkohë, ra në sy mungesa e përfaqësuesve nga partitë opozitare, të cilët nuk u panë në këtë aktivitet zyrtar.







