Kryeministri Edi Rama është i bindur për realizimin e detyrave që BE-ja i ka lënë Shqipërisë sa i përket negociatave të integrimit. Në dialog me Ali Asllanin në Berlin Global Dialogue, ai theksoi se tashmë Evropa e ka në qendër të vëmendjes Ballkanin, nisur edhe nga agresioni i Rusisë.
“Gjatë 11 muajve të fundit, ne kemi çelur pesë nga gjashtë grupkapitujt dhe presim me padurim të çelim grupkapitullin e fundit deri nga fundi i vitit, me shpresë që praktikisht do të shënojë një rekord për sa i takon shpejtësisë në proces. Kjo na inkurajon shumë. Në këtë moment në kohë, Europa është plotësisht e zgjuar, çka nuk ka qenë kështu deri pak vite më parë. Për fat të keq, për të pasur një zgjim të tillë duhej agresioni i tmerrshëm dhe brutal kundër Ukrainës, por tashmë mund të shohim një dallim të madh. Më parë BE-ja thoshte se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm gjeopolitikisht, por vetëm me fjalë. Tashmë edhe veprat po tregojnë se ka një angazhim të mirëfilltë për të na sjellë më pranë.”
Rama shprehet se synimi është që brenda dy viteve të përmbyllen negociatat dhe grupkapitujt.
“Kemi rënë dakord për një kalendar. Kalendari i punës nënkupton që të gjitha detyrat e shtëpisë, që duhet të bëjmë për të arritur anëtarësimin me të drejta të plota në aspektin teknik, do të vazhdojmë t’i realizojmë deri në vitin 2027 dhe t’i mbyllim kapitujt atë vit.”
Pas kësaj, vëmendja do të jetë te marrja e dakordësisë nga të 27 vendet anëtare, me qëllim anëtarësimin.
“Do t’u kërkojmë shteteve anëtare të ratifikojnë. Për procesin e ratifikimit kemi parashikuar edhe dy vjet të tjera, që do të thotë 2027-2029. Ja pse kam thënë 2030, bazuar në këtë marrëveshje. Nuk është një gjë që thjesht e dëshirojmë.”
Kreu i qeverisë theksoi se për këtë proces është në bashkëpunim të ngushtë me krerët e Bashkimit Evropian.
