Flutura Açka: Kisha besuar se nuk do qaja më pas vdekjes së tim biri, por shembja e Teatrit para një viti më përloti

Sot është bërë një vit nga shembja e Teatrit Kombëtar. Përmes një postimi në Facebook, shkrimtarja  Flutura Açka shkruan se 17 maji 2020 ishte një ditë tronditëse për artin dhe Shqipërinë, sepse Edi Rama dhe Erion Veliaj shkatërruan kujtesën e Tiranës.

Më tej në mesazh, ajo shprehet se ksihte besuar që pas vdekjes së djalit në vitin 2018 nuk do të qante më, por tetri e përloti pasi aty u shemb dhe një pjesë e rinisë së saj.

Mesazhi i plotë:

Ne jemi Teatri

Kisha besuar se pas majit të vitit 2018, në jetën time nuk do të gjendej më kurrë ndonjë arsye për lot. Por të gdhirët e 17 majit 2020, ishte tronditëse; të vetmit që nuk përloti ishin bishat me pushtet dhe puthadorët e tyre. Me Teatrin u shemb edhe një pjesë e rinisë së brezit tim, një pjesë plot shkëlqim e historisë së kulturës shqiptare, një pjesë e historisë së Tiranës.

Tiranët e asaj nate kanë emër të përveçëm:

Edi Rama, artisti që asfiksoi artin shqiptar.

Erjon Veliaj, politikani diaboolik që shkatërroi kujtesën e Tiranës.

Sandër LLeshi, që e militarizoi aksionin.

Kjo treshe një ditë duhet të japë llogari, pasi u soll me arrogancë me shqiptarët, u tall me kodin më elementar të Europës, kujtesën. Dhe kujtesa e njerëzimit fillon nga Teatri.

Ne, njerëzit që e dashurojmë Teatrin dhe duam që të ruhet kultura e këtij kombi, ia kemi kujtuar publikisht me protestën tonë. Një ditë, një prokuror patriot duhet t’ia përsërisë ligjërisht pamundësinë e shembjes së Teatrit, pavarësisht fuqisë që të jep pushteti. Sepse pushteti në demokraci nuk është pronë e jotja. Deri atë ditë ne do të vazhdojmë të luftojmë për Shqipërinë, historia e së cilës, edhe ajo politike, nuk nis me shpurën dalëboje të sotme, që nuk kanë fuqi më as t’i gëzohen “fitores” apo ta vënë atë së paku si buzëkuq për të fshehur ngjyrën meite prej vjellës së vjedhjes së tyre vjellëndjellëse.

Foto: Një protestues me tatuazhib e Teatrit Kombëtar./albeu.com


Shtuar 17.05.2021 09:29