Në kulmin e sezonit turistik, Porti i Durrësit po regjistron një lëvizje të madhe udhëtarësh dhe automjetesh. Autoritetet portuale presin që numri i pasagjerëve të jetë rreth 10 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për të përballuar këtë rritje, gjatë kësaj fundjave janë rikthyer lundrimet e dyfishta në linjën Durrës-Bari. Kapiteni i Portit të Durrësit, Taulant Allka, deklaroi se kompanitë kanë vënë në dispozicion tragete me kapacitete më të mëdha, ndërsa janë shtuar edhe udhëtimet e posaçme për transportin e kamionëve, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe parandalimin e vonesave.
Të lidhura
None found
Linjat detare po përdoren jo vetëm nga emigrantët që vijnë për të kaluar pushimet pranë familjeve, por gjithnjë e më shumë edhe nga turistët e huaj që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë. Sipas autoriteteve të portit, mesi i korrikut përkon gjithashtu me nisjen e kthimit në masë të bashkatdhetarëve që jetojnë dhe punojnë në Zvicër.
Allka bëri të ditur se këtë sezon është rritur prania e shtetasve të huaj. Ai shpjegoi se emigrantët shqiptarë nga Zvicra udhëtojnë më herët se bashkatdhetarët që jetojnë në Itali dhe Gjermani. Gjatë fundjavave, fluksi arrin rreth 5 mijë pasagjerë në ditë, kurse në ditët e zakonshme lëviz nga 2 500 deri në 3 mijë udhëtarë.
Mesatarisht, përmes Portit të Durrësit kalojnë çdo ditë deri në 3 mijë pasagjerë, ndërsa në fundjavë numri i tyre tejkalon 5 mijë. Krahas angazhimit të trageteve më të mëdha nga kompanitë e lundrimit, autoritetet portuale kanë shtuar personelin dhe sportelet e shërbimit për të përshpejtuar procedurat dhe për të shmangur pritjet.
