Fluks emigrantësh për festat e fundvitit, porti i Durrësit merr masat për mirëmenaxhimin e situatës

Gjysma e dytë e dhjetorit shënon gjithmonë fluks udhëtarësh, emigrantë të cilët vijnë në Shqipëri për të festuar Krishlindjet dhe Vitin e Ri me familjet e tyre.
Portet e vendit, aeroportet, si dhe pikat doganore numërojnë një numër të madh hyrje-daljesh, saqë shpesh bëhet i pamenaxhueshëm nga punonjësit e institucioneve.

Ndaj në Durrës, duke filluar që nga kjo e enjte (sot), kanë nisur lundrimet e dyfishta.
Kapiteni Taulant Allkja,ka treguar se vetëm të premten mbërritën 2 mijë pasagjerë, ndërsa mijëra të tjerë, emigrantë dhe turistë pritet të vijnë përgjatë fundjavës. Numri i udhëtarëve është rritur lehtë edhe në jug të vendit, në Vlorë.
Edhe aty autoritetet portuale kanë marrë masa për të përballuar fluksin e ditëve të festave.Të enjten në Vlorë mbërritën rreth 300 pasagjerë dhe 60 mjete, ndërsa në linjën Vlore-Brindisi do të operohet me dy tragete.

Deri më tani masat janë prezantuar vetëm për tragetet, ndërsa për pikat doganore dhe linjat ajrore pritet nëse do të ketë njoftime në ditët në vijim.