Fluks emigrantësh, Bullgaria shpall gjendje të jashtëzakonshme në kufirin me Turqinë

Guvernatori rajonal i Haskovës, Minko Angelov, ka shpallur gjendje të pjesshme të jashtëzakonshme për komunat Svilengrad dhe Topolovgrad, në kufi me Turqinë, për shkak të situatës së komplikuar në zonën kufitare të shkaktuar nga presioni i shtuar i emigrantëve.

Masa synon të shmangë humbjet e jetëve dhe dëmtimin e pronës, bizneseve dhe mjedisit. Gjendja e pjesshme e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri në mesditën e 29 shtatorit.

Kjo është hera e parë që në zonë shpallet një gjendje e pjesshme e jashtëzakonshme për shkak të presionit të lartë migrator. Në verë, një gjendje e jashtëzakonshme ishte në fuqi për pak kohë për shkak të zjarreve të furishme.

Duke folur për BTA të premten, Angelov citoi shifrat e Ministrisë së Brendshme sipas të cilave 103,998 njerëz janë përpjekur të kalojnë ilegalisht nga Turqia që nga fillimi i vitit deri më sot, që është tre herë më shumë se shifra e ngjashme për vitin 2021. Vetëm në javën e kaluar, 5,864 njerëz u përpoqën të kalonin në Bullgari, nga 5,254 persona në javën e mëparshme./albeu.com


Shtuar 23.09.2022 11:59