Flet eksperti amerikan i mbrojtjes: Tanket, raketat dhe këmbësoria ukrainase gati, çfarë i pret rusët

Nga Roberto Vivaldelli “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Stephen Bryen është një nga ekspertët më të mirë të mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me më shumë se 40 vjet përvojë në akademi, qeveri dhe ushtri. Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes për Tregtinë dhe Shërbimet e Sigurisë gjatë 2 administratave Reagan, Bryen ishte themeluesi dhe drejtori i parë i Administratës së Sigurisë së Teknologjisë së Mbrojtjes.

Aktualisht është anëtar i Qendrës për Politikat e Sigurisë dhe Yorktown Institute.

Ju jeni shprehur së fundmi se sulmet me dron në Moskë ishin të parëndësishme në krahasim me sulmet masive ruse në Ukrainë një natë më parë. A janë ato kundër Moskës më shumë sulme simbolike? Cili është qëllimi i ukrainasve?

Sulmet kundër Moskës duket se janë projektuar për të goditur pikat ku rusët kishin më pak mbrojtje ajrore. Putin i ka forcuar sistemet e mbrojtjes ajrore rreth qendrës së Moskës, gjë që mund të shpjegojë edhe zgjedhjen e objektivave të Ukrainës. Sigurisht kjo ngjarje shkaktoi probleme politike për Putinin, duke e minuar besueshmërinë e tij dhe të ushtrisë ruse.

Këtë e them nisur edhe nga fakti që armiku i ushtrisë ruse, Yevgeny Prigozhin, nisi një sulm të fortë duke pretenduar se mbrojtja e Moskës ishte e pamjaftueshme, duke akuzuar për paaftësi ushtrinë dhe udhëheqjen ruse. Ai duhet të ketë thënë diçka që e goditi presidentin rus, sepse ky i fundit njoftoi se mbrojtja e qytetit do të përmirësohej.

Kujtojmë se ky sulm pasoi atë ndaj godinës së Senatit në Kremlin, ku Putin ka zyrën e tij dhe një apartament. Sipas mendimit tim, sulmi me dron të paktën arriti të paralajmëronte qeverinë ruse se ishte e pambrojtur, ishte pikërisht ky mesazh që kërkonte të përçonte Kievi.

Tani pritet fillimi i kundërsulmimit të radhës ukrainas. Rusët duket se janë përforcuar mirë muajt e fundit. Cilat janë perspektivat e Kievit për të pasur sukses? Dhe si mund të jetë ky kundërsulm?

Unë nuk kam qasje në të dhënat e fundit të inteligjencës amerikane, të cilat siç thotë Victoria Nuland, e kanë planifikuar ofensivën bashkë me ukrainasit dhe kanë ofruar mbështetje të konsiderueshme materiale dhe inteligjente duke trajnuar gjerësisht trupat ukrainase. Ukrainasit kanë bashkuar 12 brigada (nëse do të jenë të pajisura plotësisht do të kenë 60.000 trupa).

Nëntë nga dymbëdhjetë brigadat janë të pajisura me automjete perëndimore (NATO); 3 të tjerat do të përdorin rezervat ekzistuese të luftës në Ukrainë, kryesisht pajisje të vjetra ruse. Ukraina ka mungesë të trupave të trajnuar mirë dhe me përvojë. Besoj se ajo do të përpiqet të krijojë një tronditje të fortë tek armiku duke përdorur ushtarët e tij më të mirë, siç është brigada Azov.

Rusët kanë dy opsione, dhe mund t’i zbatojnë që të dyja. E pari është grumbullimi i forcave në drejtim të sulmit të parashikuar, dhe kjo varet nga cilësia e inteligjencës ruse dhe sa shpejt mund të përgatisë dhe vendosë trupat në vendet e duhura. Ka të ngjarë që ukrainasit të përpiqen të mashtrojnë kundërshtarin e tyre sa më shumë që të jetë e mundur.

E dyti synon të përfitojë nga fakti se Ukraina ka shumë të ngjarë të kundërsulmojë në masë në jug. Në këto kushte, rusët mund të kalojnë në Ukrainën Qendrore në Dnieper, ta kalojnë lumin, duke e izoluar Kievin nga pjesa më e madhe e ushtrisë ukrainase ose duke rrethuar forcat ukrainase që po kryejnë kundërsulmin.

Vendimi do të varet nga Putini. Por rezultati i luftimeve do të varet shumë nga 3 faktorë: aftësia e të dyja palëve për të kryer siç duhet forcat e tyre; aftësia për të përqendruar zjarrin aty ku është e nevojshme dhe superioriteti ajror. Rusët janë përpjekur ta degradojnë fuqinë dhe mbrojtjen ajrore të Ukrainës, dhe e kanë bërë këtë me njëfarë suksesi.

Meqë ka pak mundësi që mbrojtja ajrore apo avionët të zëvendësohen në kohë nga Ukraina (edhe nëse nuk ndërhyn NATO), Rusia ka të ngjarë të ketë epërsi ajrore. Po ashtu, Rusia gjithashtu ka shumë më tepër artileri dhe armë inteligjente sesa Ukraina.

Fakti që SHBA dhe NATO nuk janë në gjendje të furnizojnë më shumë Ukrainën do të thotë se procesi i “përforcimit” kryesisht ka përfunduar dhe se ofensiva (dhe ndoshta kundërofensiva) do të luftohet me burimet që kanë në dispozicion palët. Kjo gjë u jep rusëve një avantazh sasior, edhe pse jo domosdoshmërisht cilësor.

Unë mendoj se Ukraina do të organizojë një sulm në rajonin e Zaporizhia dhe do ta përqendrojë sulmin e saj kryesor në Kherson dhe Krime. Ekziston një mundësi tjetër. Disa brigada ukrainase janë të grumbulluara përreth dhe në veri të Bakhmutit. Ofensiva e Zelensky mund të jetë një përpjekje për të rimarrë Bakhmut dhe ndoshta për të përparuar më tej.

Tani që toka është tharë, mund të përdoren transportuesit e blinduar të personelit. Megjithatë, rusët janë të sigurt se do të luftojnë fort në këtë sektor, dhe çdo përparim i ukrainasve mund të jetë margjinal dhe shumë i kushtueshëm.

Cilat armë perëndimore u duhen më shumë ukrainasve? Dhe sa kohë duhet për t’i trajnuar ata?

Ukraina ka nevojë për pothuajse gjithçka, sepse po përdor municione dhe pajisje në një shkallë alarmante. Nevojat kryesore janë për avionet  F-16. Por mund të jetë tepër vonë që ata të kenë ndonjë ndikim. Ukrainasve u mungojnë raketat AIM-120 ajër-ajër, të cilat mund ta ndihmojnë nëse do të kishte avionët F-16.

Të dyja palët nuk duken të gatshme për negociata. Çfarë mendoni ju?

Administrata Biden është thellësisht kundër negociatave në thuajse çdo rrethanë. Zelensky ka të njëjtën qasje me Biden. Megjithatë, në SHBA flitet se Biden mund të paditet për marrje ryshfeti gjatë kohës që ishte zv/president. Nëse kjo ndodh, Biden do të detyrohet të tërhiqet.

Mendoj se kjo mund të çojë në një krizë shumë të madhe politike dhe nuk jam aspak i sigurt që Kamala Harris mund ta përballonte peshën e përgjegjësisë. Sepse duhej të ishte një zv/president i cili shihet si një lider botëror. Por nga demokratët nuk ka shumë kandidatë të besueshëm për këtë punë.

Ndërkohë ekziston edhe mundësia që Zelensky të rrëzohet. Ai ka përdorur masa shumë të ashpra për të shtypur çdo opozitë. Por ushtria mund të jetë e lodhur nga lufta dhe Zelensky, dhe mund të vendosë të gjejë një mënyrë për të biseduar me homologët e tyre rusë. Unë besoj se nëse Biden hyn në telashe dhe udhëheqja e SHBA-së është në dyshim, Zelensky do të detyrohet të largohet.

Zgjedhjet presidenciale do të mbahen në Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm. A mund të ndryshojë strategjia e SHBA-së në Ukrainë nëse fitojnë republikanët?

Nëse fiton Trump, mund t’ju siguroj se pozicioni i SHBA-së për Ukrainën do të ndryshojë dhe pothuajse menjëherë. Por zgjedhjet janë ende larg. Në përgjithësi, republikanët e mbështetën luftën po aq sa edhe demokratët.

Unë nuk shoh ndonjë ndryshim për momentin. Por nëse populli amerikan fillon ta kundërshtojë luftën, të dyja palët mund të rishikojnë mbështetjen e tyre. /albeu.com


Shtuar 6.06.2023 10:18