Sinan Idrizi arrin akord për borxhet edhe me Ilir Dajën, Idriz Bathën e Danilo Alveshin.
Sipas informacioneve mësohet se javën që sapo u mbyll, administratori në detyrë i Flamurtarit ka zhvilluar takime me ish-trajnerin Daja dhe ish-futbollistin Batha.
Daja-Idrizi
Ndërsa ka pasur një komunikim telefonik me brazilianin Danilo Alvesh. Këtë e konfirmon edhe ai vetë për gazetën, teksa sqaron se është gjetur mirëkuptimi me pjesën më të madhe të lojtarëve. Nuk lë pa shigjetuar ish-futbollistët vlonjatë, që e çuan në gjyq klubin.
“Me shumicën e lojtarëve kemi gjetur gjuhën e mirëkuptimit. Unë falënderoj përzemërsisht Idriz Bathën, Danilo Alveshin dhe tre lojtarët shkodranë, të cilët kanë bërë një gjest që mua më ka mbetur në mendje. Nuk na dëmtuan, përkundrazi, na pritën. Gjithashtu, zhvillova një takim edhe me ish-trajnerin Ilir Daja. Edhe me të u mirëkuptuam. U kërkova shumë ndjesë të gjithëve për vonesën.
Nga kjo situatë ka humbur qyteti dhe Flamurtari, por asnjë nga ata që kanë detyrime te ne nuk është i humbur financiarisht. Ndërsa lojtarët vlonjatë, që u dhemb zemra për Flamurtarin, nuk lanë gjë pa vjedhur te Flamurtari. Ata ku të zhvatin dhe të mbushin xhepat nga ky klub, duke e vendosur në vështirësi të mëdha. I morën, por a i gëzuan ata lekë? Thjesht shkatërruan klubin”, tha administratori i kuqezinjve.
Kujtojmë që e njëjta gjë ka ndodhur edhe me emra si Muhamed Useini (mbrojtës, Gjilani), Elton Kale (mesfushor, Gjilani), Goran Siljanovski (mbrojtës, Dinamo), Agustin Torasa (mesfushor, Gjilani), Artim Pollozhani (zv.trajner, Partizani), Kristian Sirgi (mbrojtës, Otelul Galati), Tomislav Bushiç (sulmues, Gjilani), Xhevahir Sukaj (sulmues, pa ekip), Olsi Gocaj (mbrojtës, pa ekip), Denis Pjeshka (mbrojtës, pa ekip) dhe Blerim Kotobelli (mbrojtës, Teuta).
PËR KUSHTËN – Sinan Idrizi ishte ai që propozoi që Sokol Kushta të emërohet administratori i ri i Flamurtarit për pjesën tranzitore deri në privatizimin e plotë të klubit. Sipas tij, legjenda vlonjate është i vetmi personazh që për momentin krijon zgjidhje.
“Sokol Kushta është i vetmi personazh që krijon një zgjidhje, qoftë edhe tranzitore. Të tjerët llapin dhe flasin. Ku i ke? I gjen vetëm në llogje ‘Facebook’-u. Kushta ka një ide dhe kërkon se si ta zgjidhë situatën”, shtoi Idrizi.
PËR XHEMALAJN – Administratori në detyrë i Flamurtarit nuk ka pranuar t’i kundërpërgjigjet këshilltarit Teki Xhemalaj. Ai thotë se përgjigjen do t’ia japë në mbledhjen e radhës që do të zhvillohet, e cila me shumë gjasa do të mbahet këtë javë.
“Nuk kam asnjë koment. Nuk ia vlen të merresh. Përgjigjen do t’ia jap në mbledhjen e Këshillit Bashkiak”, përfundon Sinan Idrizi.