Flamurtari me trajner të ri, Diego Longo merr drejtimin e skuadrës

Diego Longo është trainer i ri i skuadrës së futbollit Flamurtari. Longo është prezantuar nga presidenti Sinan Idrizi ndërsa ka shprehur synimet e Flamurtarit ku në fokus mbetet rikthimi në Superligë.

“Shpresoj që do të bëjmë punë të mëdha sëbashku. Bashkëpunimi me trainerin, është një çështje emergjence për kohën e tanishme por bashkëpunimi do të jetë i gjatë”, theksoi Idrizi.

Longo, trajneri i Flamurtarit ka shprehur ambiciet e tij në këtë aventurë të re.

“Jam këtu duke menduar për 6 ndeshjet që kemi përpara, ajo që do të ndodhi më vonë nuk ka rëndësi, duhet të shkojmë në Superligë, sot ekziston vetëm Flamurtari dhe këto 6 ndeshje. Skuadra e parë që kam njohur është Flamurtari në Shqipëri sepse kam qenë pjesë e “Petrolul”  kur skuadra vlonjate është ndeshur me këtë skuadër. Jam këtu në 100 vjetorin e klubit me njerëz që i kanë dhënë shumë dhe shpresoj se është ogur i mirë”, u shpreh ai.

Aventura e tij në drejtim të Flamurtarit nis në 2 prill në ndeshjen derbi përballë Orikumit në transfertë. Longo u vendos në krye të vlonjatëve pas shkarkimit të Marcelo Troisit, me këtë të fundit që nuk e priti mirë vendimin e numrit 1 të kuqezinjve. Kujtojmë se Diego Longo ka drejtuar dhe skuadrën e Kukësit për 1 sezon, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar jashtë Shqipërisë.


Shtuar 24.03.2023 14:48