Flamur Noka zbulon ministrinë që Rama “i ka besuar” Bashës

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka hedhur akuza të forta ditën e sotme kundër liderit aktual të PD-së, Lulzim Basha.

Noka ka thënë sot se Lulzim Basha është shndërruar në një ministër të qeverisë së Edi Ramës, që ka si qëllim që të zhbëjë të gjitha kauzat e opozitës.

Ai foli edhe për 4200 firmat e dorëzuara në PD për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të demokratëve dhe sipas tij ato firma janë të gjitha të rregullta dhe thjeshtësisht të verifikueshme.

“Nuk ka shqiptar dhe demokrat që nuk e di sot se kush i dogji dhe i shkatërroi të gjitha kauzat e PD, dhe për interesa e arsye të kujt i dogji. Zoti Basha është një peng kryetar, qeveria ka një ministër të shuarjes së opozitës që quhet Lulzim Basha. Është një pakicë, demokratët kanë shprehur vullnetin e tyre përmes shumicës absolute të delegatëve të Kuvendit.

Sot janë mbledhur edhe 150 firma të tjera, është një vullnet absolut i demokratëve kundër pengut. Asgjë nuk e ndal vullnetin e demokratëve.

Duhet të keni parasysh dy gjëra, e para zoti Basha është palë, dhe nuk është ai që mund ta shohë, sekretari i tij është palë, Kuvendi ka të drejtë statutore që të vetëmblidhet, pakica duhet ti nënshtrohet vullnetit të shumicës. Ne i depozituam te i vetmi institucion legjitim që është Këshilli Kombëtar”, u shpreh Noka./albeu.com/


Shtuar 11.11.2021 14:26