Finlanda akuzon Rusinë se po e ndihmon migrimin ilegal

Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, e ka akuzuar Rusinë se po u ndihmon migrantëve për të hyrë në shtetin e tij ilegalisht, duke thënë se disa janë ndihmuar prej Gardës kufitare ruse.

“Është e qartë se këta njerëz po ndihmohen dhe janë duke u transportuar në kufi nga garda kufitare”, ka thënë Orpo në një konferencë për media.

Zyrtarët finlandezë kanë thënë se migrantët po shkojnë në Finlandë me makinë, para se të çiklojnë përgjatë kufirit, në grupe të vogla, për të kërkuar azil.

Ata besohet se janë duke e shfrytëzuar një marrëveshje që mund të çiklohet në zonën kufitare.

Mirëpo Finlanda, e ka ndaluar një praktikë të tillë javën e kaluar.

Finlanda e ndan një kufi 1.340 kilometra me Rusinë, njëherësh kufiri më i gjatë mes dy vendeve në Evropë.

Numri i kalimeve ka qenë i vogël, mirëpo është raportuar për rritje këtë javë.

Garda kufitare ka thënë se i ka regjistruar 89 kalime në territorin finlandez brenda dy ditëve.

Matti Pitkaniitty, kolonel në Gardën kufitare finlandeze, ka thënë për transmetuesin britanik BBC se migrantët, përfshirë qytetarë të Irakut, Jemenit dhe Sirisë, kanë arritur legalisht në Rusi, por nuk kanë qenë të autorizuar të kalojnë në Finlandë, vend anëtar i Bashkimi Evropian.

“Tradicionalisht, garda ruse nuk i ka lejuar njerëzit që të arrijnë në kufirin finlandez pa dokumentet e duhura”, ka thënë ai.

Mirëpo, sipas tij, politika e autoriteteve ruse ka ndryshuar në muajt e fundit.

Më 2021, mijëra migrantë prej Lindjes së Mesme dhe shteteve afrikane e kanë kaluar kufirin me vendet e BE-së, Poloni dhe Lituani, përmes Bjellorusisë, vend aleat i Rusisë.

BE-ja, atëbotë, e ka akuzuar liderin bjellorus, Alexander Lukashenka, se e ka përdorur migrimin si armë për “luftë hibride”, me qëllim të destabilizimit të bllokut evropian.


Shtuar 15.11.2023 08:52