Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka paralajmëruar se të martën do të vendoset në Qeveri se nëse masat e reja, me të cilat parashihet që administrata të mund të shkojë në punë vetëm në vaksinë, do të hyjnë në fuqi.
Në intervistë për “360 shkallë”, Filipçe tha se ky vendim do të shqyrtohet në Qeveri edhe përskaj reagimeve nga sindikatat, pasi siç sqaroi, spitalet janë duke u mbushur me pacientë të pavaksinuar.
Nuk tregoi se si do të kryhet kontrolli i personave në punë, megjithatë ka bërë të ditur se pas njoftimit për masat e reja, është rritur interesim për vaksinim.
“Duhet të bisedohet, të shohim cilët do të jenë personat përgjegjës. Ne i ofrojmë të gjitha mjetet elektronike. Të shkarkohet certifikata dhe të kontrollohet kodi. Nuk është e vërtetë se ky është vaksinim i detyrueshëm. Absolutisht, kanë të drejtë qytetarët të mos vaksinohen dhe pas kësaj, një herë në javë të bëjnë test në shpenzim të vetin dhe të dëshmojnë se janë negativë në Kovid dhe atëherë e dimë se jeta e të gjithëve rreth tij nuk është rrezikuar”, tha Filipçe./TV21