Fatkeqësia si karrem për klikime

Nga Lutfi Dervishi

Tragjedia e 29 nëntorit në Prishtinë ku bashkeshorti orkestroi nje grabitje për të vrarë bashkeshorten ka tronditur opinionin dhe ka lënë pa përgjigje pyetjen e madhe: PSE?

Në një akt çmendurie një bashkeshort vendos t’i jap fund jetës së bashkëshortes, nënës së fëmijëve duke lënë hapur një plagë që nuk mund të mbyllet. Policia dhe Prokuroria duket se po bëjnë me profesionalizem punën e tyre dhe në fund do të jetë gjykata që do të jape drejtësi. Gjyqi popullor ndërkohë është bërë – njerëz të shokuar shprehin habi, indinjatë dhe zemërim për krimin e shëmtuar.

Ky krim nuk ka lënë plage të hapur vetëm te fëmijët dhe familja e viktimës, por edhe në opinionin publik. Por në këtë plagë të hapur që vështirë të zërë kore – po hedhin kripë “raportimet” dhe postimet.

Dhjetëra e qindra lajme qarkullojne për fotot, komentet dhe ndërveprimet e çiftit në rrjete sociale a thua se gjurmet dixhitale që ka lënë viktima dhe autori i krimit, janë ato gjurmë që të çojnë në zbardhjen e krimit. Me rrëmimin në rrjetin social të viktimës edhe njëherë tjetër media po vendos standartin e dhunimit të privatësisë duke shfrytezuar fatkeqësine për ca klikime më shumë.

Ky obsesion i sëmurë me jetën private të viktimave jo vetëm që shkakton dhimbje e vuajtje te familjet në pikëllim por zgjat dhe agonine e tyre. Breshëria e lajmeve dhe postimeve në rrjetet sociale e mban të hapur plagen dhe me raportimin e pa verifikuar rrezikon të hapë plagë të reja.

Kjo qasje sensacionale nuk merr në konsideratë ndikimin afatgjatë tek të dashurit e viktimave, veçanërisht tek fëmijët e lënë pas. Mbulimi me intensitet i vrasjeve çon edhe në normalizimin e dhunës dhe kalimin e vuajtjes në plan të dytë.

Roli i medias në raportimin e ngjarjeve tragjike është i pa zëvëndësueshëm, por ai nuk mund të bëhet në kurriz të dinjitetit dhe dhimbjes njerëzore. Uria për klikime nuk duhet të errësojë kurrë përgjegjësinë për të informuar me ndjeshmëri dhe respekt.

Detyra e medias është të tregoj plagët dhe ndoshta është e tepërt të kërkohet që media të kontribuoje në shërim, por të paktën të mos hedh kripë në plagen e hapur dhe të mos hapë plagë të reja!

Ndoshta si udhërrëfyes vlen postulati i vjetër: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk dëshiron ta bëj ty”

 


Shtuar 2.12.2023 17:43