Fation Veizaj la mandatin, betohet në Kuvend Gëzim Ademaj

Gëzim Ademaj është betuar ditën e sotme në Kuvend si deputeti më i ri i Parlamentit të Shqipërisë.

Ai mori mandatin e lënë nga deputeti vlonjat Fation Veizaj, pasi ky i fundit dha dorëheqjen.

Fation Veizaj, më 16 shkurt kur nisi sesioni i ri parlamentar njoftoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla për dorëheqjn e tij.

“Për fat të keq, prej një viti e gjysëm, Partia Demokratike nuk po ia del t’i japë fund përçarjes. As lidershipi dhe as deputetët e saj nuk po i përgjigjen interesit të demokratëve për ta bërë atë një forcë udhëheqëse…”, shkruan Veizaj ndër të tjera në mesazhin e tij.

“Duke refuzuar kategorikisht përjashtimet nga njëra anë, por dhe mënyrën e përdorur nga individë të caktuar në kërkim pushteti personal, pa respektuar dinjitetin e deputetëve të zgjedhur dhe me pasojë thellimin e përçarjes nga ana tjetër, kam vendosur të heq dorë nga mandati i deputetit.”

Veizaj është deputeti i tretë në valën e largimeve nga radhët e PD-së. Ishte deputeti Alfred Rushaj në nëntor të vitit të kaluar që vendosi të dorëzojë mandatin e pas tij deputetja Grida Duma./Albeu.com.


Shtuar 13.02.2023 17:44