Fati mund të kishte hedhur cilindo prej nesh në ato barka emigrantësh

Nga Jonathan Freedland “The Guardian

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të flasësh për këtë çështje është një lloj shpërqendrimi nga temat madhore, por le të jemi të qartë për një gjë:Gary Lineker nuk është i keqi në këtë histori. Përkundrazi, ai meriton admirim që foli hapur kundër një padrejtësie mizore, dhe për marrjen e një qëndrimi, që tani ka sjellë kërkesën për “tërheqjen” nga prezantimi i emisionit sportiv “Match of the Day”, në një kohë që ai dhe BBC do të përcaktojnë se çfarë lejohet dhe çfarë jo të thuhet në rrjetet sociale.

Është e vërtetë që ai bëri analogjinë e gabuar: politika dhe gjuha e përdorur nga qeveria konservatore ndaj emigrantëve janë të ndyra, por ato nuk mund të krahasohen as me politikën dhe as me gjuhën e “Gjermanisë naziste të viteve 1930”, siç shkroi Lineker në Twitter.

Kur Ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman, e cilëson si një “pushtim” zbarkimin në vendin tonë të njerëzve të dëshpëruar, ajo i dehumanizon ata. Kjo sjellje është shumë e tmerrshme. Por edhe në fazat më të hershme të dehumanizimit të hebrenjve nga nazistët, si fjalët po ashtu edhe veprimet ndaj tyre ishin shumë më të këqija.

Pra, Lineker gaboi duke bërë krahasimin e vetëm që e bën këtë qeveri të duket më pak e keqe se sa alternativa. Dhe në këtë proces, ai lejoi që makineria e luftës kulturore të nisë të funksionojë me kapacitet të plotë, duke e larguar kësisoj vëmendjen nga ajo që ka vërtet rëndësi.

Sepse çdo minutë që flasim për Lineker është një minutë shmangie vëmendjen nga problemi kryesor: kjo qeveri mizore dhe e padobishme dhe plani i saj i dënueshëm për të keqtrajtuar refugjatët. Ajo po gabon në çdo nivel, përveçse ndoshta politikisht, sepse strategët konservatorë zbulojnë një avantazh duke folur ashpër mbi migrimin.

Por praktikisht, ligjërisht dhe moralisht është një turp i vërtetë. Ligji i ri i propozuar “do të përbënte një ndalim të sistemit të azilit, duke e anuluar plotësisht të drejtën për të kërkuar mbrojtje në Mbretërinë e Bashkuar për ata që mbërrijnë në mënyrë të parregullt, pavarësisht se sa e vërtetë dhe bindëse mund të jetë kërkesa e tyre” theksoi Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët.

Disa mund ta lexojnë këtë fjali dhe të mendojnë se zgjidhja është që refugjatët e vërtetë të mbërrijnë “në mënyrë të rregullt”. Por problemi është se për shumicën e njerëzve që kërkojnë azil në Britani nuk ekziston një rrugë e tillë. Ka disa skema për ata nga Ukraina, Afganistani dhe Hong Kongu.

Por për një person që ikën nga diku tjetër, nuk ka asnjë zyrë në të cilën mund të trokasë dhe asnjë formular që mund të plotësojë. Një varkë e vogël apo pjesa e pasme e një kamioni, mund të jetë rruga e tyre e vetme për të arritur sigurinë.

E megjithatë, qeveria dëshiron që t’u mohojë automatikisht këtyre njerëzve të drejtën edhe për të aplikuar për azil. Në vend të kësaj, ata do të arrestohen dhe më pas do të deportohen brenda 28 ditëve. Po ku do të zhvendosen? Qeveria nuk e ka një përgjigje.

Siç vë në dukje UNHCR, kjo është një “shkelje e qartë e Konventës së Refugjatëve”. Në hyrjen e projektligjit, përmendet që vetë Braverman e pranon se ligji i ri mund të jetë i papajtueshëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Është hera e dytë që kjo qeveri i kërkon parlamentit të miratojë një ligj, të cilin ajo e pranon se është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Arsyetimi i konservatorëve është se Britania e Madhe përballet me një “pushtim” të supozuar nga emigrantët dhe refugjatëve mundshëm. Por përveçse është një gjuhë groteske dhe çnjerëzore, ky justifikim nuk qëndron. Të dhënat e Observatorit të Migracionit tregojnë se Mbretëria e Bashkuar është në fakt prapa me pranimin e atyre që janë në nevojë.

Në vitin 2021, Mbretëria e Bashkuar u dha azil 13.000 personave, pra një pjesë shumë e vogël krahasuar me 60.000 të pranuarve nga Gjermania, dhe shumë më pak se gjysma e atyre të pranuar nga Franca. Spanja, Italia dhe Greqia morën të gjitha më shumë se ne. Pra kjo e emigrantëve nuk është një sfidë unike me të cilën përballet Britania.

Vitin e kaluar, kërkesat për azil u shtuan në të gjithë BE-në, dhe në nivel global ne po pranojmë minimumin e kërkesave. Popullata më e madhe e refugjatëve jeton sot në Turqi dhe Kolumbi. Gjermania është shtëpia e 2.2 milionë refugjatëve. Në Britani janë vetëm 232.000.

Në këtë pikë, ministrat dhe aleatët e tyre këmbëngulin se nuk po përpiqen të mbajnë jashtë refugjatët e vërtetë, por emigrantët ekonomikë. Pra njerëz që nuk po i ikin ndonjë rreziku, por që më tepër kërkojnë një jetë më të mirë. Qasja e re do t`i trajtojë njëlloj të dyja kategoritë e njerëzve: nëse mbërrini në Britani në mënyrë të parregullt, do të përjashtoheni nga sistemi i azilit.

Dhe kjo nuk merr parasysh faktin që shifrat e Këshillit të Refugjatëve tregojnë se 2/3 e atyre që kalojnë Kanalin kualifikohen si refugjatë, dhe faktin se shumë britanikë të famshëm prej kohësh, disa prej tyre në kabinetin qeveritar, janë pasardhës të njerëzve që ishin emigrantë ekonomikë.

Dhe të tillë përshkruhen sot shqiptarët, të cilët janë shndërruar në shënjestrën kryesore të atyre që janë kundër emigrantëve. Ata konsiderohen si abuzues të bujarisë britanike. Ata vijnë nga vend që konsiderohet “i sigurt, e çfarë të drejte kanë të vijnë këtu?

Por nga ana tjetër pranohet më shumë se gjysma e kërkesave për azil të paraqitura nga shqiptarët. Sepse del se ata janë në fakt refugjatë. Shumica e tyre janë gra dhe fëmijë, shpesh viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit. Por të rinjtë shqiptarë, ata që demonizohen më lehtë, janë gjithashtu viktima, dhe ikin si nga dhuna dhe gjakmarrja në shtëpi apo të rrëmbyer në një formë moderne të skllavërisë dikur këtu.

Kujtojmë rastin e adoleshentit 16-vjeçar të trafikuar, i cili mbahej me dhunë mbyllur në një “shtëpi bari” në Leeds prej 3 muajsh, përpara se të lirohej nga policia. Sigurisht, disa nga ata që vijnë këtu do të veprojnë sipas impulsit të përjetshëm dhe universal njerëzor për të kërkuar arritjen e shpejtë të një të ardhmeje më të ndritshme.

Ne mund të ndjekim ëndrrën e Braverman-it për t’i hipur ata në një avion dhe dërguar në Ruandë. Ose mund të vëmë re paradoksin që pikërisht në momentin që qeveria prezanton këtë projektligj të ashpër, ajo po kërkon “në heshtje” të sjellë më shumë punëtorë jashtë shtetit për të plotësuar mungesën kronike në tregun e punës, mbi 1.2 milionë vende.

Emigrimi është një sfidë globale, që do të kërkojë një bashkëpunim të madh midis vendeve. Secili vend duhet të bëjë pjesën e tij. Britania duhet të pranojë pjesën e saj të njerëzve. Ne britanikët duhet të ndihemi me fat:në ato barka mund të ishim ne. /albeu.com


Shtuar 13.03.2023 10:53