Avokati i familjarëve të 14-vjeçarit Martin Cani, i cili humbi jetën më 18 nëntor pasi u qëllua me thikë në zemër nga bashkëmoshtari i tij, Mario Përlleshaj, ka treguar se kanë nisur një hetim paralel me organet e drejtësisë për zbardhjen e kësja ngjarje.
Për Top Channel, avokati Redi Ramaj u shpreh se familjarët e Martinit kërkojnë drejtësi dhe për këtë arsye ata kanë nisur një hetim paralel me institucionet e drejtësisë, në përpjekje sipas tij për të shuar konfuzionin mbi hetimin institucional.
Gjithashtu, ai bëri me dije se që prej datës 27 nëntor ka bërë kërkesë për të marrë dokumentat shtetërore mbi rastin, mirëpo dosja e 14-vjeçarit ende nuk është dorëzuar te ai.
“Mendojmë që zbardhja edhe e ngjarjes së ditës së premte mund të hedh dritë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pra kemi të bëjmë përfundimisht me një sherr fëmijësh që ka sjell fatalitet apo kemi të bëjmë me pjesëmarrjen e personave të tjerë që nuk janë bashkëmoshatarë? Të shumtë janë personat që kanë ardhur për ngushëllim e kanë dëshmuar të vërtetat që dinë, por nuk janë pyetur akoma nga organet ligjzbatuese.
Ne i kemi paraqitur kërkesat e domosdoshme prokurorisë dhe policisë. Nuk kemi ende ekspertizën mjeko-ligjore. Kemi bërë e një sërë shkresa për institucione të tjera duke nisur nga vetë shkolla për te na informuar për ditën e momentin e ngjarjes, a është zhvilluar i plotë mësimi për klasat e personave të përfshirë në konflikt. Deri sot akoma jemi në terrin e ditëve të para dhe kjo nuk është normale”, tha avokati.