Falsifikuan biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dhe i shitën me çmime të larta, arrestohen 2 persona

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të cilët  falsifikuan biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dhe i shitën ato me çmime të larta.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë falsifikuar dhe shitur rreth 60 bileta të tilla, për këtë ndeshje.

Në pranga kanë rënë shtetasit A. O. dhe S. A., të dy banues në Tiranë. Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dhe i kanë shitur ato me çmime deri në 400 euro. Pasi qytetarët kanë paraqitur këto bileta, për të hyrë në stadium, janë krijuar probleme teknike sepse biletat ishin të dubluara.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com


Shtuar 13.10.2023 10:40