Falsifikim dokumentesh dhe kalim emigrantësh të paligjshëm, dy të arrestuar në Korçë

Policia ka ndaluar dy shtetas të shpallur në kërkim. G. H., 35 vjeç, banues në Maliq është dënuar me 4 muaj burg për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe A. Ç., 20 vjeç, banues në Maliq akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Njoftimi i policisë:

Korçë/Pogradec

Ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim G. H., 35 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 30.07.2019, e ka dënuar këtë shtetas me 4 muaj burg për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

—————

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit A. Ç., 20 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq.

Ky shtetas, më datë 29.05.2021, u shpall në kërkim policor në kuadër të operacionit të koduar “Perimetri”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”./albeu.com