Evi Kokalari ka një sfidë publike për Belind Këlliçin

Aktivistja Evi Kokalari ka sfiduar sërish deputetin Belind Këlliçi.

Kokalari ka kërkuar të dijë nga ai se përse ka më shumë anëtarë të FRPD-së në Këshillin Kombëtar të PD-së nga kuota e kërkuar.

Përmes një postimi në Facebook, Kokalari i kërkon Këlliçit të bëjë transparencë dhe të japë llogari se pse FRPD, ka nëntë të rinj më shumë se sa kuota e kërkuar me statut në Këshillin Kombëtar dhe pse po i jepet kaq shumë hapësirë të rinjve.

Sipas saj, kjo trasparencë është mëse e nevojshme përpara zgjedhjeve të së Premtes për funksionet e rëndësishme drejtuese në PD.

Postimi i Kokalarit:

FTESË BELIND KËLLIÇIT PËR TRANSPARENCË

Vota është e shenjtë dhe duhet mbrojtur me çdo kusht, ndryshe demokracia nuk mbijeton!

Kuota e pjesëmarrjes të anëtarëve të Forumit Rinor në Këshillin Kombëtar është 15% ose 22 veta. Duke hequr Belindin që është automatikisht i futur si deputet, ngelen 21 veta.

Këtë shifër ma ka konfirmuar vetë Belindi.

Nga një analizë e thjeshtë të listës së fituesve, rezulton se në Këshill kanë hyrë gjithsej 30 anëtarë të Forumit Rinor, domethëne 9 mbi kuotë e kërkuar me statut.

Ftoj Belind Këlliçin, që për hir të trasparencës, të lëshoj një deklaratë të noterizuar që vërteton se këta 9 vetë mbi kuotë, janë futur me votë (dhe nëse është votë e lobuar s’ka problem për momentin), dhe nuk janë përzgjedhur nga Belindi vetë për të plotësuar, tejkaluar apo manipuluar zgjedhjet nëpërmjet kuotës që mbrohet me statut të Partisë.

Logjikisht, nëse kemi 9 veta mbi kuotë, kjo do të thotë që të gjithë, pra 30 të rinjtë, janë futur me meritokraci.

Kjo trasparencë, është mëse e nevojshme përpara zgjedhjeve të së Premtes, sepse ky është një informacion që duhet ta disponoj çdo anëtar i Kryesisë që ka të drejtë vote nesër.

E falenderoj paraprakisht!/albeu.com/