Evazioni fiskal me inceneratorët, flet Merita Hajdari: Më nxorën me 5 kompani, unë 10 mijë lekë kam

Merita Hajdari, është gruaja të cilës dyshohet se i kanë përdorur identitetin, për të bërë veprime miliona euro me paratë e inceneratorëve.

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ajo ka rrëfyer se si e mori vesh që është përfshirë në këtë skemë dhe foli për takimin me zyrtarë të SPAK.

Hajdari tha se kërkon drejtësi dhe të merret vesh se kush e ka futur në këtë histori, ndërkohë rrëfeu vuajtjet e mëdha në jetën e saj.

Pjesë nga biseda: 

Merita Hajdari: Jam 56 vjeç. Banoj te lagjia 10. Unë para kam vetëm 10 mijë lek që kam marrë borxh sot. Unë nuk kam fare para. Unë jam me invaliditetin. Nuk kam lek.

Ylli Rakipi: Kur e more vesh që je e pasur me letra?

Merita Hajdari: Ka nja tre ditë. Më marrin njerëzit e mi në telefon. E shikojnë te Syri. Thonë çohu se ke dalë në televizion, sikur kam bërë falsifikime dokumentash me biznese. Kam ndejtur shumë e shqetësuar. Ngrihem në mëngjes, marr djalin dhe cunin e xhajës dhe iki te rajoni 3. I thashe kam dalë në këtë lajm. Ku i kam këto biznese unë? Si ka dalë emri im në televizor. Një shef më thotë duhet të shkosh te drejtoria e policisë. Shkoj atje, flasin në telefon dhe më thonë motër ti je e pastër. Unë thashë kam frikë dhe dua të sqaroj.
Më thanë do të shkosh te drejtoria e madhe te Brryli, një godinë me xhama. Shkoj atje, ata nxorrën një palë letra, katër biznese, fruta perime, hekuri… Edhe sot ka dalë një kompani tjetër, janë bërë pesë. Ku i kam unë këto? Ata thonë 5.5 milionë, po ku marr vesh unë nga këto. Të paktën të më japin edhe mua një biznes.

Aleksandra Bogdani: Këtu dalin katër kompani, tregëtim materialesh duralumini, etj. Pra, është pak a shumë si funksionojnë këto skema, që blejnë beton dhe shesin oriz përshembull.

Ylli Rakipi: Cfarë i kanë bërë zonjës që ne kemi këtu?

Aleksandra Bogdani: Duhen hetime për të kuptuar. Me aq sa kam parë, është përdorur emri i zonjës për një kompani në letër, nuk është kompani që ekziston, nuk ka seli dhe puntorë.

Ylli Rakipi: Si ti kanë marrë të dhënat?

Merita Hajdari : Votimi i parë, unë vajta në lagje dhe thanë do votoni. Unë tham nuk votoj se nuk kam kartë. Edhe më kanë bërë kartën. Unë firma kam bërë vetëm në bashki, për strehim, si person i pastrehë. Edhe te tatimet, më kanë dhënë këto letrat.

Ylli Rakipi: Ti u nise drejt SPAK-ut vetë. Pse?

Merita Hajdari: I kam thënë ku është më e madhja, që të ankohem. Vajta atje, ishte një gazetare përjashta. I kam thënë dua të sqaroj këtë çështje. Ata të zyrave më dëgjuan dhe dolën te dera. I thashë atyre, nja dy burra ishin. Ishte një zyrë dhe i thashë, kjo fotografi ka dalë në televizor. Për cfarë akuzohem? Më tha rri e qetë se nuk je ti me këto gjëra. Të ishe me probleme, ne nuk të linim.

Ylli Rakipi: Pra SPAK-u e kuptoi direkt që je e pafajshme?

Merita Hajdari: Po. Pastaj unë dola jashtë. Thashë do kërkoj drejtësi edhe më lartë.

Ylli Rakipi: Po ku do vazhdoje ti?

Merita Hajdari: Unë dua drejtësinë time. Jam fukareshë, unë nuk dua këto rëndesa të dal në gjithë botën./tpz