Eurovision 2025 nis sonte: Shqipëria ngjitet në skenë me “Zjerm”

Festivali më i ndjekur muzikor në Evropë çel siparin sonte në Bazel të Zvicrës, ku do të mbahet gjysmëfinalja e parë e edicionit të 69-të të Eurovision Song Contest. Mbrëmja nis në orën 21:00 në arenën St. Jakobshalle, me prezantimin e Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer.

Pasi Zvicra rrëmbeu fitoren vitin e kaluar në Malmo me këngën “The Code” të artistit Nemo, këtë vit vendi alpin ka nderin të mikpresë spektaklin që mbledh bashkë 37 vende pjesëmarrëse.

Shqipëria, e përfaqësuar nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, do të performojë sonte në skenën madhështore në përpjekje për të siguruar një vend në finalen e madhe të 17 majit. Artistët shqiptarë do të përballen me konkurrencë të fortë, por entuziazmi i publikut shqiptar është më i zjarrtë se kurrë.

Pesëshja e Madhe – Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe – së bashku me Zvicrën janë të kualifikuara automatikisht në finale. Ndërkohë, shtetet e tjera do të përpiqen të fitojnë zemrat e publikut dhe jurisë përmes dy netëve gjysmëfinale: sonte dhe të enjten, më 15 maj.

Këtë vit, Mali i Zi rikthehet në garë pas një mungese dyvjeçare, ndërsa Moldavia është tërhequr për arsye financiare.

Eurovisioni mbetet një nga ngjarjet më jetëgjata televizive në botë, me histori që nis në vitin 1956. Me përjashtim të vitit 2020, kur pandemia ndërpreu për herë të parë festivalin, çdo vit ka sjellë spektakël, diversitet kulturor dhe… shumë debate.


Shtuar 13.05.2025 11:18