Eurot “fringo” të reja, kapet me çantën plotë 50-vjeçari në kufi

Një 50-vjeçar është proceduar penalisht, pasi u kap me mbi 28 mijë euro të deklaruara në Pikën Kufitare të Muriqanit.

Gjatë kontrolleve në automjetin e tij u gjet shuma prej 28 400 euro, të cilat nuk ishin deklaruar në kufi. Ndaj personit në fjalë nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Njoftimi i policisë:

Muriqan/Policia Kufitare, kontrolle të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Sekuestrohen 28 400 euro, procedohet penalisht 50-vjeçari që nuk i deklaroi në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit kosovarë P. P. dhe B. P. (babë e bir).

Gjatë kontrollit në automjet dhe në çantën e dorës të shtetasit P. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 28 400 euro që i posedonte shtetasi P. P., por nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar P. P., 50 vjeç, banues në Gjermani, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 31.07.2023 11:17