Mbi gjysma e popullsisë në Shqipëri nuk i ka të ardhurat e mjaftueshme për të mbuluar koston e një jave pushimi larg vendbanimit të tyre gjatë një viti.
Shifrat e publikuara nga Eurostat, të cilat për shtetet europiane i referohen 2025-ës dhe për Shqipërinë vitit 2023, tregojnë se rreth 53% e familjeve shqiptare nuk janë në gjendje të financojnë një javë pushime. Ky rezultat e vendos vendin tonë në vendin e dytë në rang rajonal, menjëherë pas Rumanisë, ku kjo përqindje i kalon 60%. Pas Shqipërisë në këtë klasifikim vijnë Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Të lidhura
None found
Statistikat konfirmojnë se vështirësia për të përballuar pushimet është një dukuri e theksuar në shtetet e Europës Juglindore dhe në ato me nivel më të ulët ekonomik.
Në këtë aspekt, Shqipëria qëndron dukshëm më keq se fqinjët e rajonit. Në Serbi, për shembull, rreth 36% e familjeve hasin pamundësi për të kryer pushime, ndërsa në Bullgari dhe Hungari kjo shifër shkon afërsisht në 39%. Italia shënon një nivel rreth 36%, teksa Portugalia, Kroacia dhe Spanja sillen midis 32% dhe 33%.
Mesatarja e Bashkimit Europian qëndron rreth 27%, një vlerë që është pothuajse sa gjysma e asaj të regjistruar në Shqipëri. Në praktikë, kjo do të thotë se përqindja e familjeve shqiptare që nuk përballojnë dot një javë pushime është gati dyfishi i asaj të vërejtur në vendet e BE-së.
Nivelet më të ulëta të këtij treguesi gjenden në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve deklarojnë se nuk kanë kapacitet financiar për një javë pushime.
Edhe pse pushimet nuk klasifikohen si një nevojë elementare, paaftësia për t’i financuar ato shërben si një matës kyç i mirëqenies dhe i mungesave materiale.
Treguesi i Eurostat-it nuk analizon nëse dikush ka udhëtuar realisht për pushime, por nëse ekonomia familjare është në gjendje të paguajë për një javë larg shtëpisë. Ky udhëtim mund të zhvillohet brenda territorit kombëtar ose jashtë tij. Në rastet kur një familje vendos të mos udhëtojë për motive personale, ajo nuk llogaritet menjëherë si e privuar materialisht.
