Euro fiton terren kundrejt Lekut, me sa u këmbye sot

Pas shumë javësh në pikiatë, monedha europiane Euro e ka mbyllur javën me rritje të konsiderueshme sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Më konkretisht 1 Euro këmbehet me 106.01 Lekë ndryshe nga një javë më pare kur këmbehej me 103.83 Lekë në tregun valutor.

Trendi rritës ka vijuar edhe për monedhat e tjera krahasuar me një javë më parë. Dollari amerikan e ka mbyllur javën duke u këmbyer me 97.53 Lekë, nga 94.55 që ishte me 11 Gusht. Ndërsa Paundi britanik këmbehet në agjencitë e tregut valutor me 124.01 Lekë duke fituar terren me 4 pikë më shumë se një javë më parë.

Gjatë muajit Korrik monedha Euro preku vlerën më të ulët historike, duke u këmbyer me 100.49 Lekë.

Në fillim të këtij muaji Banka e Shqipërisë bëri publik vendimin për të tërhequr më shumë Euro duke shtuar blerjet në tregun e brendshëm dhe ndërhyri në kalendarin e blerjeve duke e rritur nga 220 milionë Euro në 300 milionë Euro kufirin e blerjeve.

Deri më tani Banka Qendrore ka blerë në tregun e brendshëm 188 milionë Euro, ndërkohë që rreth 130 milionë Euro të tjera parashikohet të blihen deri në fund të vitit./Albeu.com/


Shtuar 19.08.2023 19:07

Tags: