Escobar: Serbia dhe Bosnja kanë premtuar se s’do të lejojnë konflikte në Ballkan

I dërguar Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se i inkurajon të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor për t’u angazhuar drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Po ashtu, ai ka thënë se nuk beson që një konflikt mund të shpërthejë në Ballkan.

Kur është pyetur nëse beson që jostabiliteti, pas luftës në Ukrainë, mund të shpërndahet edhe në Ballkan, Escobar është përgjigjur shkurt: “Në të vërtetë, jo.”

Escobar është shtyrë më tej që të flasë për këtë çështje, duke u pyetur pse mendon kështu.

“Arsyeja është pjesërisht edhe sepse shtetet e këtij rajoni janë zotuar që të mos e lejojnë të ndodhi kjo gjë. Ky premtim është dhënë nga të gjitha shtetet, përfshirë Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën”, ka thënë Escobar.

Ai ka thënë se SHBA është e fokusuar që të zgjidhë problemet e Ballkanit Perëndimor.

“Ndonëse shumë shtete në Ballkanin Perëndimor janë të cenueshme, mendoj se vëmendja që po i jep BE-ja dhe SHBA-ja, do të ndihmojë që të izolohen të gjithë mekanizmat potencialë destabilizues”, ka theksuar ai.

Sipas Escobar, shtetet e BP janë të përkushtuara për misionet humanitare dhe zbutjen e krizës. Përkushtimin e vullnetin të mirë, sipas tij, e dëshmojnë edhe votimet e unifikuara të rezolutave në OKB që dënojnë Rusinë.

“Me këtë gjë në mendje, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar për të ndihmuar përpjekjet humanitare, dhe vërtetë e bëjnë të gjithën që kanë premtuar. Si dhe, secili vend në Asamblenë e Përgjithshme, ka votuar në dënim të invazionit rus. Kështu që, mendoj se ky rajon do të bëjë një kontribut pozitiv drejt stabilitetit të krizës”, ka theksuar ai.

Në intervistën për median kroate N1, Escobar ka thënë se të gjitha shtetet që i janë bashkuar BE-së, janë bërë më demokratike. Prandaj, ai ka sugjeruar që këto aspirata t’i kenë edhe shtetet ballkanike.

“Të gjitha shtetet që i janë bashkuar BE-së janë bërë më demokratike, stabile e prosperuese, pa asnjë pasojë për tjerët. Kjo është pikërisht ajo që duam për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë. Shpresoj që të gjitha këto shtete do të kenë një rrugë të qetë drejt Evropës, një derë të hapr, dhe se do të jenë në gjendje të përfundojnë proceset në kohë të arsyeshme. Koha varet edhe nga raportet që kanë me BE-në, mirëpo ne inkurarojmë ato që të bëjnë progres, e po ashtu inkurajojmë edhe partnerët evropianë që të japin sinjale të qarta se ato janë të mirëseardhura”, ka thënë Escobar./Gazeta Express/.