Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar këmbëngul se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për gazetën greke “To vima” Escobar thotë integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është domosdoshmëri për të sjellë siguri dhe stabilitet për të gjithë Europën.
Escobar komentoi gjithashtu edhe zhvillimet në Partinë Demokratike (PD) në Shqipëri. Ai tha se Shqipëria duhet të lërë pas të shkuarën.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë evropianë në aspektin e kulturës, dhe gjithnjë e më shumë dhe ekonomikisht. Çdo vend që i bashkohet BE-së po bëhet më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i begatë. Shpresoj, që anëtarët e PD-së dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja,” tha Escobar.
Ndër të tjera Escobar i sheh me shqetësim ndikimet që mund të kenë në rajonin e Ballkanit vendet e treta dhe këtu ka parasysh Rusinë dhe Kinën.
“Jam shumë i shqetësuar për ndikimet dashakeqe ruse dhe kineze. Unë nuk e përfshij Turqinë në këtë kategori. Turqia është një anëtare e NATO-s, ajo ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, gjithashtu ka punuar shumë për të sjellë investime në rajon.”