Ervis Martinaj apo “beteja” e vjeshtës, kush e “kafshoi” Gledis Nanon

Ditën e sotme është shkarkuar nga detyra drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Largimi i tij nga detyra erdhi në një moment ku brenda pak javëve janë rreth 30 të vrarë, aksidente të shumta dhe zhdukja e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

Gjithashtu shkarkimi i tij i paraprin luftës së ashpër politike të paralajmëruar nga opozita dhe zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Edhe pse Nano ishte një person që u sponsorizua shumë nga amerikanët në këtë detyrë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi nuk e ka dashur asnjëherë atë në krye të Policisë së Shtetit.

Reagimi i menjëhershëm i ambasadës amerikane në lidhje me largimin e Nanos nga detyra ishte mesazhi i drejtpërdrejt i tyre në lidhje me këtë vendim të qeverisë për të zgjedhur dikë tjetër, pjesë të kastës, në krye të Policisë së Shtetit.

Gazetarja Klodiana Lala tha sot në News24 se Nano shkeli “në kallo”  dhe prandaj u largua nga drejtimi i policisë pa përfunduar reformën në këtë strukturë, ndërsa nuk la pa përmendur edhe faktin se ishte arrestimi i Jeton Lamit, policit të Operacionales që bëntë badigardin e Ervis Martinajt që u vuri “vulën” vendimit për shkarkimin e tij.

Fakti që as Policia e Shtetit dhe as Ministria e Brendshme nuk reagojnë prej tre javësh mbi misterin që ka rrethuar fatin e Ervis Martinajt konfirmon se brenda këtyre institucioneve ka një “siklet” mbi emrin e Martinajt, një “siklet” që përmblidhet edhe me mbrojtjen që ai kishte nga struktura të caktuara të policisë, të cilats shkojnë deri në nivele të larta. Deklaratat e gazetarit Artan Hoxha në ABC pak ditë më parë duket se e konfirmojnë një fakt të tillë.

Ndërkohë, Shqipëria është duke u futur në një periudhë zgjedhore, ndërsa dy aktorë të fuqishëm si Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë “shpallur luftë” që nga shtatori. Duket të jetë një luftë për “jetë a vdekje” mes këtyre dy liderëve dhe drejtuesve të maxhorancës, gjë që ka bërë që radhët të shtrëngohen dhe në to të ketë vetëm pjestarë të “unazës”.

Kujtojmë se Nano kishte nisur një hetim të thelluar në radhët e policisë për të zbuluar ata drejtues policie që ishin të lidhur me krimin e organizuar, por duket se kjo reformë mbeti vetëm në letër, pasi shkarkimi i tij ishte i papritur./albeu.com/