Ervin Salianji: Nuk tërhiqemi, s’ka për të pasur parlament normal pa u plotësuar këto 3 kërkesa

Këtë të enjte, u zhvillua seanca parlamentare e cila u mbyll për vetëm 12 minuta. Opozita vijoi me aksionin e saj, por këtë herë pa ndezur tymuese dhe pa bllokuar foltoren.

I pyetur jashtë ambienteve të Kuvendit, Salianji tha se opozita nuk tërhiqet nga kërkesat e saj dhe nuk ka për të patur parlament normal, derisa ato të realizohen.

Sa i përket, aksionit të sotëm opozitar, Salianji tha se ka vetëm diversifikim të saj dhe qëllimi është që me forma të ndryshme t’i tregohet opinionit se nuk po përfaqësohen interesat e qytetarëve.

“Nuk ka asnjë trembje, e keni parë aksioni vazhdon po njësoj. Bllokimi i jetës parlamentare normale vazhdon po njësoj deri në realizimin e kërkesave tona. Padiskutim që duhet të ketë diversifikim. Padiskutim që aksioni do marrë format e veta nga java në javë. Nuk ka tërheqje nga kërkesat tona, nuk do të ketë tërheqje nga kërkesat tona dhe nuk ka për të pasur seancë dhe parlament normal derisa kërkesat tona të realizohen”, tha Salianji.

Por çfarë janë kërkesat e PD-së? Salianji tha se kërkohet që PD të përfaqësohet siç duhet në Komisionin e Reformës Zgjedhore duke pasur bashkëkryetarin në radhët e saj, komisionet hetimore dhe që mazhoranca të mos hyjë në punët e brendshme të PD-së.

“Po kërkojmë bashkëkryetarin e komisionit të reformës zgjedhore ashtu siç e keni parë 47 deputetë që përbëjnë shumicën e grupit parlamentar, apo grupeve parlamentare të opozitës kërkojnë që të kenë përfaqësimin e tyre në komisionin e reformës zgjedhore dhe proporcionaliteti ndërkohë është i mirëpritur. Nuk mundet që një grupim me 7 deputetë të ketë 4 përfaqësues dhe grupimet opozitare, bashkë me partinë më të madhe që është PD dhe grupi parlamentar i PD të mos ketë përfaqësimin e bashkëkryetarit.

Pavarësisht se ne kemi faktuar dhe kemi bindur opinionin publik në lidhje me frikën që ka mazhoranca dhe Edi Rama për t’u përballur me hetimin parlamentar për çështje që kemi kërkuar, çka fakton që ata janë përfshirë në afera korruptive apo frikëra që duan të mbulojnë me mostransparencë apo moskontrollin dhe mos hetimin parlamentar.

Kërkesa tjetër që kemi është që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD-së”, tha Salianji.


Shtuar 25.01.2024 11:29