Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas propozimit të PS për reformën e re territoriale, ku parashikohet shkrirja e 15 bashkive dhe bashkimi i tyre me njësi të tjera vendore, më të mëdha.
Braçe është shprehur kundër mënyrës së propozuar për tre bashki, Poliçanin, Divjakën dhe Libohovën, të cilat në skemën e re do të shkrihen dhe do të bëhen pjesë e bashkive të tjera.
Të lidhura
None found
Deputeti socialist kërkoi që në këtë proces të dëgjohen qytetarët dhe jo vetëm drejtuesit vendorë.
“Unë mendoj se tani është koha të dëgjojmë njerëzit. Jo thjesht udhëheqësit e këtyre bashkive, por njerëzit. Ata nuk janë dëgjuar dhe ky është problem. Të ndajmë me ta informacion për arsyet dhe çfarë ndodh me ta pas kësaj ndarjeje; të dëgjojmë mendimet e tyre, argumentet e tyre, t’i debatojmë me ta, të reflektojmë”, shprehet deputeti.
Ai theksoi se ky ballafaqim me qytetarët është detyrim i procesit të reformës dhe se nuk ka të bëjë vetëm me tre njësi administrative të humbura e të mbaruara, por me bashki që kanë një histori dhe zhvillim.
Erion Braçe: Dita e djeshme ishte e vështirë, për shkak të ndarjes së propozuar territoriale, administrative. Reforma duhet të jetë shumë më e madhe se kaq. Tre bashki me të cilat unë kam një lidhje të posaçme, Poliçani, Divjaka dhe Libohova, shkrihen e bëhen pjesë e bashkive të tjera. Dita u bë edhe më e vështirë pas protestës në Poliçan, banorëve atje, socialistëve me ta, si edhe pas reagimeve që pasuan në Divjakë dhe Libohovë.
Unë mendoj se tani është koha të dëgjojmë njerëzit. Jo thjesht udhëheqësit e këtyre bashkive, por njerëzit. Ata nuk janë dëgjuar dhe ky është problem. Të ndajmë me ta informacion për arsyet dhe çfarë ndodh me ta pas kësaj ndarjeje; të dëgjojmë mendimet e tyre, argumentet e tyre, t’i debatojmë me ta, të reflektojmë. Është detyrim i procesit ky. Kini parasysh që nuk kemi të bëjmë me tre njësi administrative të humbura e të mbaruara.
Libohova ka qenë nënprefekturë që në vitin 1914 dhe qytet prej shekujsh. Divjaka është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në 12 vitet e fundit, ekonomikisht, në prodhim, infrastrukturë dhe në aspektin social. Ndërsa Poliçani është një qytet i ndërtuar për nevoja strategjike të industrisë ushtarake, për të cilën sot flitet si një domosdoshmëri. Nuk mund të jetë vetëm Tirana ekonomia e këtij vendi në çdo degë.
