“Erdhi koha të përveshim mëngët”, Kim për Reformën në Drejtësi: Enver Hoxha po rrotullohet në varr

Ambasadorja Yuri Kim u ndal në zbatimin e Reformës në Drejtësi në fjalën e saj në konferencën “Konsolidimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor”.

Diplomatja amerikane theksoi se me ndihmën dhe kurajon e SHBA, Shqipëria duhet të bëjë hapa para në reformën në drejtësi, për të cilën siç tha ajo, ‘tani ka ardhur momenti’.

Kim tha se duhet të zgjidhen sa më parë çështjet e prapambetura dhe të vihen në ‘vend’ krerët drejtues në gjykata, për të bërë përpara në drejtësi dhe për të lënë pas të shkuarën.

“Kemi patur këtu ushtarakë amerikanë këtu, kush do e mendonte këtë vite më parë, apo në 1997. Enver Hoxha po rrotullohet në varr, kjo është e ardhmja. Kjo është ajo që ne duam për ju si SHBA, ndaj besojmë në reformën në drejtësi, e di që ndonjëherë nuk ju pëlqen, do kishit dashur që ndonjëherë të ishim të heshtur. Por ne duam që ju të jeni partnerët tanë, të fuqishëm, të pasur. Vendet e tjera të shohin dhe të thonë ‘uau ja dolën mbanë’, gjetën shtigjet dhe ja dolën edhe pse vend i vogël. Ky është momenti, nuk është koha për tu ç’lodhur dhe pushuar.

Tani është koha për të thënë ne do ecim përpara sepse brezi i ardhshëm i shqiptarëve, amerikanëve, i kanë sytë te ju. Le të përveshim mëngët dhe t’i zgjidhim çështjet e prapambetura. Le të vihen në vend gjyqtarët, vendimet nuk duhet të na mbajnë në vendnumëro, nuk mund të shkojmë prapa por duhet të ecim përpara. Dua të falënderoj KLGJ, Gjykatën e lartë, Kushtetuese, si dhe çdo anëtar për punën e bërë”- tha ambasadorja Kim.