Një 26-vjeçar shqiptar që kërkohej nga Spanja si pjesëtar i një bande “skifterësh” që kryenin grabitje dhe jo vetëm, është lokalizuar dhe arrestuar sot (24 prill) nga Policia e Shtetit.
Burime zyrtare thanë se i dyshuari Mateo Selala, fshihej në qytetin e Laçit dhe gjithashtu akuzohet për falsifikim dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Të lidhura
None found
“Gjatë kësaj faze u lokalizua dhe u kap në Laç, shtetasi M. S., 26 vjeç, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, në muajin shkurt, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për të, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Grupi kriminal”. Shtetasi M. S. akuzohet se më datat 14 dhe 15 mars, 2025, ka vjedhur në 2 banesa, në zona të ndryshme në Spanjë. Ai gjithashtu akuzohet se ka ndryshuar targat e një automjeti”, thanë burime zyrtare për detajet e çështjes dhe aksionit.
Operacioni është koduar “Operacionalja 91” dhe Interpol Tirana ka njoftuar homologët e Madridit për procedurat e ekstradimit.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
“Pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, të akuzuar për vjedhje me dhunë dhe për falsifikim të dokumenteve, lokalizohet dhe kapet në Laç, 26-vjeçari.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale, me partnerët spanjollë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit finalizuan fazën e 91-të të operacionit të koduar “Operacionalja”.
Gjatë kësaj faze u lokalizua dhe u kap në Laç, shtetasi M. S., 26 vjeç, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, në muajin shkurt, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për të, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Grupi kriminal”.
Shtetasi M. S. akuzohet se më datat 14 dhe 15 mars, 2025, ka vjedhur në 2 banesa, në zona të ndryshme në Spanjë. Ai gjithashtu akuzohet se ka ndryshuar targat e një automjeti.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Madrid, për të ekstraduar 26-vjeçarin, në Spanjë”.
