Një shtëpi kanabisi u bastis nga autoritetet policore në Britani, pas sinjalizimit që patën nga një koleg i tyre i cili kishte vënë re se grilat e dritareve të mbyllura të pronës në fjalë “lëviznin në mënyrë konstante”. Oficerët e policisë dyshuan se kjo lëvizje shkaktohej nga ventilimi, i përdorur zakonisht për prodhimin e drogës. Për këtë arsye ata shkuan për kontroll në pronën në fjalë që ndodhej në Ashton Avenue në Harehills.
Sipas mediave të huaja, Ronaldo Tafa ishte i vetmi që ndodhej në shtëpi, ndaj dhe u arrestua. Gjurmët e gishtave të tij u gjetën kudo në banesë, ndërsa 20-vjeçari shqiptar, i cili nuk ka asnjë dënim të mëparshëm, pranoi se kishte prodhuar kanabis. Tafa ishte larguar nga vendi i tij një vit më parë dhe kishte jetuar në Francë përpara se të sillej ilegalisht në Angli.
Ai tha se familja e tij kishte mbledhur para për të paguar trafikantët, ndaj me të mbërritur në Angli ai u dërgua në shtëpinë në Leeds dhe tregoi se si të kujdesej për prodhimin e kanabisit. Ai tha se nuk kishte marrë asnjë pagesë, por priste disa para “në një fazë”.
Gjykatësi Robin Mairs e burgosi atë për 26 muaj duke shtuar: Ti nuk ishe atje me detyrim dhe nuk ka asnjë të dhënë që jep indikacione për skllavërinë moderne. Ju po punonit atje thjesht për të fituar para.
Tafa do të dëbohet pasi të lirohet nga burgu.