Mbrëmjen e sotme, në Tiranë, u plagos me armë zjarri një punonjës i repartit Shqiponja.
Raportohet se autori i plagosjes është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Ministria e Brendshme ka zbuluar se efektivi Edlir Alleshi është plagosur pasi një patrullë e repartit “Shqiponja”, e cila ishte në ndjekje të një personi të dyshimtë është qëlluar me armë nga ky i fundit.
“Ndërsa Policia e Shtetit vijon kontrollin për personat në kërkim, një patrullë e repartit “Shqiponja” në ndjekje të një personi të dyshimtë është qëlluar nga ky person dhe për pasojë ka mbetur i plagosur punonjesi i policisë E.A. Punonjësi i Policisë është në sallën e operacionit, ndërsa Policia është vënë në ndjekje të autorit.”
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar.
Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor E. A., i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.