EMRI/ Kishte “paketuar” në minibus 10 emigrantë të paligjshëm, në pranga 46-vjeçari

Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm nga Tirana drejt Hanit të Hotit.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Ilir Limani, akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Operacioni, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit.

U kapën në flagrancë duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet penalisht në gjendje të lirë bashkëpunëtori i tij.

Procedohen penalisht edhe 10 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Tirana në Hanin e Hotit, me qëllim kalimin e tyre në Mal të Zi, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 23”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. L., 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Shkodër.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Kamzë, duke transportuar me një minibus, 10 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar, kundrejt shpërblimit monetar, transportimin nga Tirana në drejtim të Hanit të Hotit, me qëllim kalimin e tyre në Mal të Zi, me destinacion final vendet e BE-së.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 10 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.