Policia në Pogradec ka vënë në pranga 47-vjeçarin Taulant Agushi i cili ishte shpallur në këkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar me 9 vite e 10 muaj burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Agimi”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Interpol Tirana.
Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 47-vjeçar i dënuar me 9 vjet e 10 muaj burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, nga strukturat e lartpërmendura, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Agimi”. Si rezultat, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Taulant Agushi, 47 vjeç, banues në fshatin Starovë, Pogradec.
Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 9 vite e 10 muaj burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë./albeu.com