EMRI/ Atentati në derën e shtëpisë së Edison Begajt, shpallet në kërkim autori

Policia ka arritur të zbardhë atentatin ku mbeti i plagosur 41 vjeçari Edison Begaj, më 29 maj në fshatin Kaninë të Vlorës.

Njoftohet se është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit. Bëhet fjalë për shtetasin Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

NJOFTIMI

Vlorë/Zbardhet tentativa e vrasjes së 41-vjeçarit, e ndodhur më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë.

Shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.

Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.05.2021, rreth orës 23:25, në fshatin Kaninë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi E. B.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë e mundur shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit:

•Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.


Shtuar 31.08.2021 08:29