Policia ka arrestuar në flagrancë 3 persona të dyshuar si autorë të tentativës për kultivim. Gjithashtu njërit prej tyre i është gjetur një armë zjarri pushkë. Të arrestuarit janë Selami Hadëri, Ylber Hadëri, Shpëtim Bregu.
Policia ka proceduar edhe kryeplakun e fshatit Braçë për “shpërdorim detyre”.
Njoftimi i policisë:
Poliçan/Skrapar
Evidentohen dhe goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Arrestohen në flagrancë 3 persona të dyshuar si autorë të tentativës për kultivim.
Sekuestrohet një armë zjarri pushkë.
Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Shërbimet e Policisë Poliçan dhe Skrapar, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatrat Barçë, Skrapar dhe Tomor, kubikë ku ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan dhe në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasit: S. H., 47 vjeç, dhe Y. H., 38 vjeç, banues në fshatin Braçë, pasi në tokat në pronësi të tyre u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa;
Sh. B., 40 vjeç, banues në fshatin Tomorr, Poliçan, pasi në një miniserë në ambientet e banesës së tij u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua dhe një armë zjarri pushkë.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe kryeplaku i fshatit Barçë, shtetasi A. R., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme./albeu.com