Dy shtetas shqiptarë në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Greqi dhe Çeki.
“Falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe homologëve grekë dhe atyre çekë, lokalizohen në Greqi dhe në Çeki, kapen dhe arrestohen përkohësisht, 2 shtetas shqiptar në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë”, njofton Interpol Tirana.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe autoriteteve policore greke, u bë lokalizimi në Kavala, Greqi, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Pëllumb Braçe, 63 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, e ka dënuar me 15 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Shtetasi Pëllumb Braçe, u ka marrë me anë të mashtrimit, shumën 72 mijë euro, 2 shtetasve, duke u premtuar shitjen e një dyqani në një pallat të ri, në Durrës.
Po si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore çeke, u bë lokalizimi në Çeki, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Albert Lamaj, 38 vjeç, banues në Ballsh.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Shtetasi Albert Lamaj, në datën 03.03.2017, në lagjen nr.3 Sarandë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur rëndë, me mjet prerës (thikë), shtetasin M. Gj.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët grekë dhe ata çekë, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve drejt Shqipërisë./Albeu.com/