Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, janë arrestuar në Spanjë dhe Itali, pas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tirana.
Më konkretisht, në Spanjë është arrestuar në kuadër të operacionit “The zone” shtetasi Fabion Gjoni, 29 vjeç, i cili në vitin 2022, së bashku me babanë dhe vëllanë e tij, kishte përshtatur një ambient në Shkodër, për tharje dhe prodhim të kanabisit.
“Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 29-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit Zef Gjoni dhe Pjetër Gjoni, përkatësisht babai dhe vëllai i tij, në vitin 2022, ka përshtatur një ambient në Shkodër për tharje dhe prodhim të kanabisit. Nga kontrollet, Policia gjeti në këtë ambient rreth 86 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe bimë narkotike në proces tharjeje”,– thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa në Itali është arrestuar në kuadër të operacionit “Gain”, shtetasi Edvaldo Nanushi, 37-vjeç. Në vitin 2022, Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 3 vite burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Policia raporton se vijon bashkëpunimi me homologët, për të finalizuar ekstradimet e këtyre dy shtetasve, në Shqipëri.