Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, kritikoi ashpër presidentin amerikan, Joe Biden.
Musk paralajmëroi se nëse qeveria e tij vazhdon të printojë kartëmonedha, inflacioni do të përkeqësohet dhe SHBA mund të ndjekë rrugën e Venezuelës.
Musk, që thotë se ka votuar vazhdimisht për demokratët, sugjeroi se Biden është si një kostum bosh.
“Presidenti i vërtetë është ai që kontrollon teleprompterin e tij,” tha shefi i kompanisë Tesla. “Rruga drejt pushtetit është rruga drejt teleprompterit”.
“Më duket se nëse dikush do të mbështetej aksidentalisht në teleprompter, atëherë ai do lexonte çfarëdo që i shkruhet,” tha Musk.
“Kjo administratë nuk i kryen punët. Administrata e Trump, duke lënë mënjanë Trump, ishte shumë njerëz në administratë që ishin efektivë në kryerjen e gjërave”.
Musk u ndal gjatë te çështja e inflacionit, që ka arritur nivelin më të lartë prej 40 vitesh.
“Nëse qeveria hedh në qarkullim shuma masive parash dhe deficiti nuk ka rëndësi, atëherë pse të mos e bëjmë deficitin 100 herë më të madh? Përgjigjia është: nuk mundeni se në thelb do e ktheni dollarin në diçka të pavlerë”.
“Vende të ndryshme e kanë provuar këtë eksperiment disa herë. A e keni parë Venezuelën? Ata njerëz të varfër në Venezuelë janë katandisur në atë gjendje për shkak të qeverisë së tyre”.
Inflacioni në Venezuelë arriti në nivelin e 65 mijë përqind në vitin 2018. Spiralja ekonomike nisi me kontrollin e çmimeve nga qeveria dhe rënien e çmimeve të naftës. Qeveria nisi të shtypë para për t’ia dalë mbanë, por çmimet u rritën në qiell, papunësia u shtua dhe Prodhimi i Përgjithshëm Bruto u shemb.
“Pra është e qartë se nuk mundesh thjesht të krijosh para”, tha Musk.