Elbasan/ Vranë me thikë bashkëmoshatarin, shtyhet seanca gjyqësore për katër adoleshentët

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj katër të miturve të cilët vranë me thikë bashkëmoshatarin e tyre në Gramsh në majin e vitit të kaluar.

Seanca e sotme u shty pasi mungonte një prej anëtarëve të trupit gjykues. Në seancën e sotme pritej pretenca e prokurorit të çështjes.

Më herët katër adoleshentët kishin kërkuar gjykim të shkurtuar, gjë e cila ishte pranuar nga trupi gjykues. Mirëpo ky vendim u kundërshtua nga familjarët e viktimës Fatjon Bici.

Kujtojmë se edhe seanca e shkuar, e datës 28 shkurt të këtij viti u shty pasi mungonte avokati mbrojtës i një prej të plagosurve të kësaj ngjarjeje.

Më 16 Maj 2023 Fatjon Bici u vra me thikë vetëm pak metra larg shkollës, në lulishten e qytetit të Gramshit. Katër autorët e moshës 15 dhe 16 vjeç, O. Çarçiu, E. Karaj, S. Murati, Xh. Çekrezi,  i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale.

Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë, teksa hyri për ta mbrojtur.


Shtuar 8.04.2024 16:45