Policia e Elbasanit ka vënë në pranga këtë të shtunë dy persona, pas finalizimit të operacioneve të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja”. Aksionet u zhvilluan nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan.
Operacionet u organizuan mbi bazën e të dhënave të siguruara në rrugë operative, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, si edhe pas kryerjes së hetimeve të thelluara.
Të lidhura
None found
Në operacionin “Last Fire”, policia ndaloi me iniciativë E. K., 43 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet se është përfshirë në dy raste të djegies së qëllimshme të automjeteve.
Sipas hetimeve, më 07.08.2026, rreth orës 01:00, 43-vjeçari dyshohet se i vuri zjarrin me lëndë djegëse, konkretisht benzinë, automjetit që përdorej nga L. D., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Veprimet e mëtejshme hetimore kanë ngritur dyshime se E. K. është gjithashtu autori i djegies së dy automjeteve të tjera, në pronësi të shtetasit E. H., ngjarje e ndodhur më 28.06.2026.
Ndërkohë, gjatë operacionit “Mbikëqyrja”, u kap në flagrancë dhe u arrestua D. R., 32 vjeç, banues në Elbasan.
Ai u ndalua në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë pa leje, 35 fishekë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë.
Pas kryerjes së procedurave, D. R. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Pistoleta, municioni luftarak dhe lënda narkotike u sekuestruan si prova materiale.
Dokumentacioni procedural iu dërgua Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme.
