Ekzekutimi mafioz që tronditi Vlorën, 22 vjeçari u qëllua me snajper sapo doli në ballkonin e banesës

Mësohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi Vlorën mbrëmjen e sotme.

22-vjeçari Gëzim Sinomati dyshohet se është ekzekutuar me snajper sapo ka dalë në ballkonin e katit të tretë të pallatit ku kishte apartamentin.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po bëjnë kontrolle në banesa të ndryshme. Dyshohet se snajperisti ka qenë në ndërtesën përballë pallatit ku banonte viktima.

Njoftimi i policisë

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi G. S., 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.

Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forcë.


Shtuar 7.01.2024 22:53