Ekzekutimi me 9 plumba i Edmond Papës në kryeqytet nuk ka ende një autor. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj është shprehur se hetimet për ekzekutimin e Edmond Papës në zonën e Selitës në Tiranë mbrëmjen e 16 dhjetorit vijojnë nga një grup hetuesish. Sidoqoftë, Vocaj thekson se shpreson të kenë rezultate pozitive nga hetimet, raporton gazetari Sokol Dema.
“Për ngjarjen kriminale po punon një grup, por nuk mund të komunikojmë gjë për median për momentin. Po punojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi rezultate pozitive në lidhje me hetimet.”- tha Vocaj.
Vrasja e Edmond Papës dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen e dy shqiptarëve në Greqi vetëm pak ditë më parë. Sipas hetuesve atentati ndaj Papës mund të ketë lidhje edhe me vrasjen e Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranaja, në Greqi, për zhdukjen e një ngarkese prej 700 kg kanabis, për të cilën mediat greke ngrenë dyshime se ishin në përgjegjësi të Edmond Papës.
Si u vra Edmond Papa?
49-vjeçari Edmond Papa, u ekzekutua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera.
Në këtë moment autori ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes po në këmbë. Ka dyshime se është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar, por akoma nuk ka asnjë të dyshuar. Papa kishte ardhur nga Saranda në Tiranë mesditën e së premtes bashkë me nënën e tij, të cilën do ta dërgonte tek mjeku për ta vizituar pasi ishte e sëmurë. 49-vjeçari njihej në Sarandë me mbiemrin Hoxha, të cilin e kishte ndryshuar në kur kishte shkuar në Greqi në Papa.
Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri. Për ngjarjen ka dy pista hetimesh, konflikte të mundshme në Greqi dhe konflikte për pronën. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.