Ekzekutimi i biznesmenit Nikulaj, arrestohet edhe shtetasja britanike

Është arrestuar edhe një tjetër person që ka marrë pjesë në ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj në 19 prill në Shengjin.

Policia shqiptare informon se pas Edmond Haxhias, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan të cilët u arrestuan paradite në Londër, është arrestuar edhe një tjetër shetase britanike, Harriet Bridgeman, e cila ka patur rolin e vëzhgueses.

Në ditët në vijim pritet ekstradimi i tyre drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit

Në vijim të punës kërkimore për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasja britanike H. B.

Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të 2 personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.


Shtuar 29.04.2023 15:18