Ekstradimi nën masa të rrepta sigurie, dalin pamjet nga momenti i mbërritjes së Laert Haxhiut në Shqipëri

Dalin pamjet nga momenti kur  i dënuari nga Gjykata e Posaçme me burg përjetë, Laert Haxhiu, ka mbërritur në vendin tonë. Teksa më herët ekstradimi i tij nga shteti grek drejt Shqipërisë, është konfirmuar edhe nga Policia e Shtetit.

Laert Haxhiu, ishte i shpallur në kërkim, teksa mbi të rëndojnë disa akuza të veprave të rënda penale. Pas disa letër shkëmbimeve mes autoriteteve shqiptare dhe atyre greke, sot është finalizuar ekstradimi i të shumë kërkuarit, Haxhiu.

Madje ai është cilësuar edhe si person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.

 

32-vjeçari është sjellë në Kakavije, në masa të larta sigurie, nga Policia greke dhe është marrë në dorëzim në Kakavije, nga Forcat Speciale “RENEA”.

Ky shtetas, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi:

Gjykata e Lushnjës, në vitin 2017, e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur ne tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi Laert Haxhiu, më datë 25.09.2016, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Xh. Sh. dhe S. Xh.;

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e ka denuar me burgim të perjetshëm, per veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.



Shtuar 3.07.2024 16:02